Si vazhdimësi e traditës tregtare të familjes FUSHA, në vitin 1963, kur Prizreni ende nuk kishte dyqane private, u hap dyqani i parë për shitjen e pemëve dhe perimeve. Ky hap i rëndësishëm për zhvillimin e tregtisë në rajon shënoi fillimin e një tradite të gjatë të biznesit familjar FUSHA.
Më 28 Nëntor 1988, në ditët e para të hapjes së tregut të lirë në ish-Jugosllavinë socialiste, vëllezërit Adnan, Irfan dhe Bari Fusha themelojnë Ndërmarrjen Prodhuese Tregtare “ABI”. Ky ishte një hap thelbësor në krijimin e supermarketit të parë në regjionin e Prizrenit dhe shënoi fillimin e një kapitulli të ri në sektorin e shitjes me pakicë.
Krahas hapjes së supermarketit, “ABI” zhvilloi edhe tregtinë me shumicë me hapjen e depos së parë për shitjen e artikujve ushqimorë. Kompania arriti të bëhet përfaqësuese e shumë ndërmarrjeve prodhuese nga Jugosllavia dhe vende të tjera, veçanërisht nga Turqia. Aktiviteti i tregtisë me shumicë u rrit ndjeshëm pas vitit 1999, duke kontribuar në rritjen e ekonomisë lokale.
Në vitin 1996, “ABI” mori përsipër Industrinë e Qumështit në Prizren, e cila ishte në prag të shkatërrimit. Me angazhim të madh dhe investime të konsiderueshme, “ABI” arriti të revitalizojë këtë industri, duke e zhvilluar deri në atë pikë sa sot është një nga shtyllat kryesore të përpunimit të qumështit në Kosovë. Prodhimet e kësaj industrie, si djathi i Sharrit, djathi i bardhë, kaçkavalli, gjalpi, kosi, jogurti dhe ajrani, janë të pranishme në çdo tryezë kosovare.
Në vitin 2001, në bashkëpunim me kompaninë “ELIF 19”, “ABI” komercializoi ish-Fabrikën për përpunimin e pemëve dhe perimeve “PROGRES” në Prizren. Fabrika ka kapacitet për të përpunuar rreth 9,000 ton pemë dhe perime në vit dhe kapacitet ngrirjeje prej 5,000 ton. Prodhimet si sallatat, turshitë, marmelatat dhe kompotet shiten në Kosovë dhe eksportohen në Maqedoni, Serbi, Slloveni, Austri, Gjermani dhe Angli. Gjatë sezonit veror, deri në 500 punëtorë shtesë angazhohen për të mbështetur prodhimin.
Për sukseset e arritura, “ABI-ELIF 19 PROGRES” u shpall Kompania më e Suksesshme e Kosovës nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në vitin 2002. Në vitin 2006, ajo ishte shpallur eksportuesi i dytë më i madh në Kosovë. Shënim: “ABI-Progres” është kompani e regjistruar ndaras nga “ABI” Sh.P.K., dhe në Certifikatën e regjistrimit nuk është pjesë përbërëse e “ABI” Sh.P.K.
Në vitin 2005, “ABI” privatizoi ish-Fabrikën e këpucëve “KOMUNA” në Prizren, e cila ka një sipërfaqe prej rreth 27,000 m² dhe ndodhet në qendër të qytetit. Pas rinovimit të një pjese të saj, në fund të vitit 2006, u hap Qendra Tregtare “ABI Center”, e njohur ndryshe si “Bukuria e Prizrenit”. Me një sipërfaqe të mbyllur shitëse prej rreth 8,000 m², depo të mbyllura prej rreth 3,000 m² dhe parking për 500 automjete, “ABI Center” është një nga qendrat më të mëdha tregtare në Kosovë.
Në janar të vitit 2013, “ABI” shtoi një njësi të re, Supermarketin “ABI Plus”, me një sipërfaqe prej 1,050 m², që përfshin edhe Restorantin “ABI Plus” me rreth 50 punëtorë. Po ashtu, në vitin 2013, u hap edhe “Hotel ABI”, një objekt hotelier me 23 dhoma dhe sipërfaqe të tjera përcjellëse, si restoranti dhe salla e mbledhjeve. Ky hotel kontribuoi në rritjen e kapaciteteve hoteliere të Prizrenit dhe në zhvillimin e turizmit në qytet.
Në fund të vitit 2014, “ABI” hapi “Furrën ABI”, e cila filloi të furnizojë supermarketet “ABI Center” dhe “ABI Plus” me produkte të cilësisë superiore të bukës dhe brumërave. Në korrik të vitit 2016, u hap edhe Supermarketi “ABI Store” në Prizren, që përfshin një supermarket dhe restorant me një kënd për lojra për fëmijë. Ky kompleks është bërë një destinacion i rëndësishëm për blerje dhe gastronomi në qytet.
Në fillim të vitit 2018, pas dy vitesh përpjekjesh, u hap “ABI Çarshia”, qendra më e madhe tregtare në ambient të hapur në Kosovë dhe rajon. Me rreth 90 lokale dhe 1000 vende të reja pune, ky kompleks është bërë një qendër e rëndësishme tregtare dhe një atraksion për vizitorët nga Kosova dhe rajoni.
Në vitin 2019, “ABI” zgjeroi aktivitetet e saj me hapjen e “ABIGreen Hotel” në Prevallë, një lokalitet në zemër të Parkut Kombëtar të Maleve të Sharrit. Ky hotel ofron një ambient të pasur me klimë të ndryshme që ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit dhe një gamë të gjerë aktivitetesh, përfshirë sauna, dhomë me avull, xhakuzi, palestër, kinema dhe kënd për fëmijë.
Në vitin 2022, pas rrënimit të “Hotel ABI” në Prizren, filloi ndërtimi i kompleksit unik afaristo-banesor “ABI Platinum Residence”, që përfshin 6 ndërtesa banimi dhe 554 banesa luksoze me sisteme eko-miqësore dhe dizajn modern.